Komisionerja për Zgjerim në Komisioni Evropian, Marta Kos, pritet të zhvillojë vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë më 15 maj.
Lajmi është bërë i ditur nga burime joformale në institucionet europiane për Radio Evropa e Lirë, ndërsa konfirmimi zyrtar i vizitës pritet në ditët në vijim.
Kjo do të jetë vizita e parë e Marta Kos në Prishtinë që prej marrjes së detyrës si komisionere për Zgjerim më 1 dhjetor 2024. Që nga nisja e mandatit të saj, ajo ka vizituar të gjitha vendet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Sipas burimeve europiane, mungesa e një vizite në Kosovë deri tani ishte lidhur me krizën politike dhe mungesën e institucioneve funksionale në vend gjatë muajve të fundit.
Një vizitë e planifikuar për 12 mars ishte anuluar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars.
Megjithatë, zyrtarët në Bruksel vlerësojnë se vizita duhet të realizohet pavarësisht situatës politike, duke qenë se procesi i reformave dhe bashkëpunimit me BE-në duhet të vazhdojë.
Në deklaratat e fundit në Parlamenti Evropian, Marta Kos kishte theksuar se synon të diskutojë në Prishtinë mbi reformat që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Kosova ka përfituar tashmë 61.8 milionë euro parafinancim nga Bashkimi Evropian në kuadër të këtij plani, ndërsa për periudhën 2024-2027 pritet të ketë në dispozicion rreth 882 milionë euro, përfshirë grante dhe kredi.
Gjatë diskutimeve në Parlamentin Evropian, Kos foli edhe për pesë vendet e Bashkimi Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës — Greqi, Spanjë, Rumani, Sllovaki dhe Qipro — duke deklaruar se zhvillimet në këtë drejtim janë “inkurajuese”.
