Marshimi i protestuesve në ditën e 42-të të protestave kundër qeverisë u ndal edhe para godinës së Kuvendit, ku pjesëmarrësit hodhën thirrje kundër mazhorancës dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë ndalesës, protestuesit brohoritën slogane si “Rama jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit”, “Ju erdhi fundi” dhe të tjera, duke përsëritur kërkesën e tyre për ndryshim politik.
Sipas pjesëmarrësve, protestat po zhvillohen prej 42 ditësh me qëllim kërkimin e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë tubimit u ngritën sërish akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim të vendit.
Aktivisti Visar Dalipi iu drejtua protestuesve me një thirrje për mobilizim edhe në seancën e fundit plenare të Kuvendit për këtë sesion.
“Më 23 korrik zhvillohet seanca e fundit plenare. Ju bëj thirrje të gjithëve të jeni të pranishëm para Parlamentit për të vijuar protestën”, deklaroi ai.
Pas ndalesës para Kuvendit, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa organizatorët deklaruan se aksioni qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre për ndryshim politik.
