Aktivistja Sidorela Vatnikaj, gjatë fjalës së saj para Kryeministrisë në protestën e 42-të kundër qeverisë, deklaroi se pjesëmarrja e vazhdueshme e qytetarëve në tubime ka treguar, sipas saj, se shoqëria shqiptare është e aftë të organizohet dhe të kërkojë ndryshim.
Ajo u shpreh se për vite me radhë shqiptarëve u është krijuar ideja se nuk mund të bashkohen për kauza të përbashkëta, por protestat e javëve të fundit, sipas saj, kanë dëshmuar të kundërtën.
“Në 36 vite na kanë thënë se jemi një popull që nuk organizohet, që nuk revoltohet dhe nuk ndërton dot shtet. Ajo që ka ndodhur në këto 42 ditë e ka përmbysur këtë perceptim. Shoqëria shqiptare ka treguar solidaritet dhe qytetari”, deklaroi Vatnikaj.
Aktivistja shtoi se, sipas saj, qytetarët nuk e meritojnë qeverisjen aktuale, duke përmendur me emër kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Ne kemi treguar se dimë të artikulojmë kërkesat tona dhe se mund të ndërtojmë një Shqipëri të re, pa korrupsion dhe pa abuzim me pushtetin”, u shpreh ajo.
Vatnikaj theksoi gjithashtu se protestat nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë, por janë mbështetur edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Nuk na ndalën as temperaturat e larta, as pushimet dhe as ngjarjet sportive. Edhe pas 42 ditësh jemi këtu me të njëjtën kërkesë: dorëheqjen e kryeministrit”, përfundoi aktivistja.
