Një ish-minator, pjesëmarrës në protestën e 42-të kundër qeverisë në Tiranë, u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestat, duke theksuar se vendi ka nevojë për ndryshim politik dhe për më shumë hapësirë për brezin e ri.
Në fjalën e tij, ai tha se një nga arsyet e pjesëmarrjes në protestë është edhe kërkesa për zgjidhjen e çështjes së statusit të minatorëve, ndërsa shtoi se shpreson që rinia të marrë një rol më aktiv në drejtimin e vendit.
“Sot është dita e 42 e protestës dhe duhet bërë gjithçka. Tani që popullit i ka dalë frika, duhet të vazhdojmë. Unë protestoj edhe për statusin e minatorit. Tani që është ngritur rinia, shpresoj që kjo klasë politike të largohet dhe vendi të marrë një frymë të re”, u shpreh ai.
Ish-minatori kritikoi gjithashtu organizimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se punonjës të administratës publike janë vënë nën presion për të marrë pjesë.
“Sot organizohet një koncert, ndërsa paratë e shtetit trajtohen si pronë personale. Administratës, sipas informacioneve që kemi, i është kërkuar të marrë pjesë dhe të sjellë edhe persona të tjerë. Kjo nuk është normale”, deklaroi ai.
Në përfundim, protestuesi kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime ligjore, duke theksuar se vendi ka nevojë për reforma dhe një qasje të re në drejtim.
