Një aksident tragjik në punë i ka marrë jetën një 36-vjeçari këtë të shtunë në zonën e Kolonjës, në qarkun e Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte banues në Pogradec dhe punonte pranë një subjekti privat të licencuar për prodhimin dhe transportimin e drurit në Kolonjë.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e fshatit Kurtesh, ku 36-vjeçari ishte duke ngarkuar dru. Gjatë punës, një trung është shkëputur dhe e ka zënë poshtë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pavarësisht ndërhyrjes, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa po verifikohet nëse janë respektuar rregullat e sigurisë teknike gjatë procesit të punës.
