Eurodeputetja Cristina Guarda pas vizitës në Shqipëri: Fitimi nuk mund të vihet mbi mjedisin dhe interesin e qytetarëve

Data

Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar pas vizitës së saj në Shqipëri, ku mori pjesë në protestën qytetare që po zhvillohet prej 42 ditësh në Tiranë dhe në mbledhjen ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, ajo ngriti shqetësime për mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e standardeve evropiane në procesin e integrimit të vendit.

Guarda tha se gjatë qëndrimit në Shqipëri ka dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve dhe ka konstatuar, sipas saj, një përplasje mes interesave ekonomike dhe mbrojtjes së natyrës.

“Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari – një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit,” u shpreh eurodeputetja.

Ajo veçoi si rast shqetësues zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë, duke theksuar se kjo nuk është e vetmja çështje që kërkon vëmendje, por një shembull që duhet të nxisë reflektim mbi respektimin e vlerave evropiane.

Sipas Guardës, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të mbështetet në mbrojtjen e mjedisit, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe respektimin e standardeve evropiane.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në frymën e mbrojtjes së këtyre vlerave, të respektit për mjedisin dhe të angazhimit të komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje,” deklaroi ajo.

Eurodeputetja theksoi gjithashtu rëndësinë e parimit të “moskthimit pas” (non-regression) në politikat mjedisore, sipas të cilit standardet e mbrojtjes së natyrës nuk duhet të dobësohen me kalimin e kohës.

Në përfundim, Guarda u shpreh se do të vazhdojë ta ndjekë nga afër situatën në Shqipëri dhe të informojë për zhvillimet e mëtejshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related