Policia Kufitare ka ndëshkuar dy drejtues mjetesh lundruese që, sipas autoriteteve, rrezikuan sigurinë e pushuesve duke lëvizur në afërsi të bregut në zonat bregdetare të Semanit dhe Hidrovorit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, konstatuan një mjet lundrues tip Jet Ski që po lundronte pranë pushuesve në plazhin e Semanit.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E.D., u ndëshkua me 500 mijë lekë të rinj gjobë dhe ndaj tij u vendos edhe masa e bllokimit administrativ të mjetit lundrues.
Në një rast tjetër, gjatë patrullimeve në zonën e njohur si Plazhi i Hidrovorit, Policia konstatoi një gomone që lëvizte në mënyrë të paligjshme pranë vijës bregdetare.
Mjeti drejtohej nga shtetasi austriak J.H., i cili, sipas verifikimeve, nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për mjetin lundrues.
Për këtë shkelje, autoritetet vendosën një gjobë prej 510 mijë lekësh të rinj, si dhe bllokuan administrativisht gomonen.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë pranë zonave të plazhit.
Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë gjatë sezonit turistik dhe se çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.
