“Nuk më dalin lekët për ilaçe”/ Qytetarja shpërthen në lot në protestë: Prej 5 vitesh endet në gjykata për pronën

Data

Një nga momentet më prekëse të protestës së 41-të qytetare para Kryeministrisë ishte dëshmia e një qytetareje, e cila mes lotësh tregoi vështirësitë ekonomike dhe betejën e saj shumëvjeçare me institucionet për të fituar të drejtën mbi pronën.

Ajo tha se prej pesë vitesh endet në dyert e gjykatave, prokurorisë dhe policisë, ndërsa pretendon se, megjithëse e disponon pronën me certifikatë, ende nuk ka marrë zgjidhje.

“Kam pesë vjet që luftoj nëpër gjykata e prokurori. E kam pronën me certifikatë dhe nuk ma jep gjykata. Shkojmë në institucione dhe na trajtojnë si kafshë. Ky shtet nuk na mbron. O popull i nderuar, duhet ta ndryshojmë këtë shtet që nuk na jep asnjë të drejtë. Populli po vuan,” u shpreh ajo.

Qytetarja tregoi gjithashtu se përballet me probleme të rënda shëndetësore dhe se vështirësitë ekonomike nuk i lejojnë të sigurojë ilaçet që i nevojiten.

“Nuk më dalin lekët për ilaçe. Kam bërë tre operacione, në zemër dhe në mëlçi. Jam prej vitesh në gjyqe, në polici dhe në prokurori. Prandaj kërkoj dorëheqjen,” tha ajo mes lotësh.

Dëshmia e saj u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ku për të 41-ën ditë radhazi qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe adresimin e problemeve që, sipas tyre, prekin jetën e përditshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related