Qytetarë të shumtë u mblodhën edhe këtë mbrëmje në Tiranë për të vijuar protestën kundër qeverisë, e cila ka hyrë në ditën e saj të 41-të.
Pasi u grumbulluan në Sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe mesazhe ku shprehnin pakënaqësinë e tyre për zhvillimet politike dhe qeverisjen e vendit.
Në mesin e pankartave binte në sy mesazhi: “41 ditë qytetarët presin, pushteti hesht”, ndërsa pjesëmarrësit brohoritën slogane duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në klasën politike.
Në disa pankarta të tjera protestuesit kishin shkruar se, krahas kapitujve të negociatave që Shqipëria po hap me Bashkimin Evropian, “do të mbyllet edhe kapitulli i Ramës”, duke iu referuar kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit nga detyra.
Protesta, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar në javët e fundit me kërkesa më të gjera politike, ekonomike dhe sociale. Tubimi para Kryeministrisë pritet të vijojë me fjalime dhe deklarata nga pjesëmarrësit.
