Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të re vendimesh në mbledhjen e zhvilluar më 9 korrik 2026, që prekin fusha të ndryshme, nga administrata publike dhe mjedisi, te infrastruktura, mbrojtja civile dhe zhvillimi ekonomik.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i rregullave për kriteret, procedurat e përzgjedhjes, funksionimin dhe përgjegjësitë e komisioneve këshillimore për dhënien e titujve të nderit.
Qeveria ka vendosur gjithashtu t’i propozojë Kuvendit listën e kandidatëve të kualifikuar për postin e kryetarit dhe tre anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik.
Në mbledhje u miratua edhe marrëveshja e zbatimit mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), në kuadër të programit “Qendrat për Migracion dhe Zhvillim” (ZME).
Një tjetër vendim përcakton kriteret, masën e përfitimeve dhe llojet e pushimeve me ose pa pagesë për punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi kalimin në administrim të një pasurie të paluajtshme në Vlorë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Avokatura e Shtetit, për nevoja të ushtrimit të veprimtarisë së këtij institucioni.
Në fushën e mjedisit u miratua rregullorja për verifikimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë nga operatorët e instalimeve, operatorët e avionëve dhe subjektet e rregulluara, si edhe procedurat për akreditimin e verifikuesve.
Qeveria miratoi gjithashtu dy vendime për shpronësime në interes publik. Njëri lidhet me projektin “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të Pikës Doganore Morinë”, ndërsa tjetri me projektin “Rikonstruksioni i trotuareve në lagjen ‘Sheh’” në Bashkinë Kavajë.
Në mbështetje të zhvillimit rajonal, Këshilli i Ministrave shpalli disa zona në bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas si “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, me synimin për të nxitur investimet, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në këto territore.
