KLGJ rrëzon kërkesën e Pamela Qirkos për emërim si gjyqtare Apeli, refuzohen edhe nëntë kandidatë të tjerë

Data

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Pamela Qirkos për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Qirko, e cila ka ushtruar detyrën në institucionet e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetingut), ishte pjesë e listës së 10 juristëve që kishin aplikuar për t’u përfshirë në trupën gjyqësore të Apelit pas përfundimit të mandateve të tyre kushtetuese.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes plenare të zhvilluar këtë të premte, ku KLGJ vendosi të mos miratojë asnjërën prej kërkesave të paraqitura nga kandidatët.

Përveç Pamela Qirkos, Këshilli rrëzoi edhe kërkesat e:

  • Suela Zhegut;
  • Firdes Shulit;
  • Alma Faskajt;
  • Brunilda Bekteshit;
  • Olsi Komicit;
  • Valbona Sanxhaktarit;
  • Xhensila Pines;
  • Etleda Çiftjas;
  • Roland Ilisë.

Gjatë të njëjtës mbledhje, KLGJ miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional për gjyqtaren Brunilda Kadi për vitin 2024, ndërsa shtyu shqyrtimin e vlerësimit për gjyqtarin Adrian Shega.

Këshilli vendosi gjithashtu zgjatjen e afatit të delegimit të gjyqtarit Sokol Ibi dhe ricaktimin e tij në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në rendin e ditës u përfshinë edhe çështje të tjera procedurale, mes tyre caktimi me short i relatorit për procedimin disiplinor ndaj gjyqtares Suela Dashi, zëvendësimi i nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe deklarimi i përfundimit pa vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për një kandidate në Shkollën e Magjistraturës.

Në përfundim të mbledhjes, KLGJ miratoi edhe procesverbalet e mbledhjeve të datave 29 prill dhe 6 maj 2026.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related