Mbledhja e 21-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (SA) mes Shqipërisë dhe Parlamentit Europian u mbyll pa miratimin e një deklarate të përbashkët, pasi përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk arritën konsensus.
Në votim, deputetët e mazhorancës mbështetën draftin me 7 vota pro, ndërsa përfaqësuesit e opozitës votuan 7 kundër, duke bërë të pamundur miratimin e dokumentit.
Qëndrimi i Partisë Demokratike është kritikuar nga ish-deputeti demokrat Edmond Spaho, i cili, përmes një reagimi në rrjetet sociale, akuzoi kolegët e tij se vendosën interesin partiak mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Spahos, deklarata ishte përgatitur nga eurodeputetët dhe mbështetej edhe në rezolutat e mëparshme të Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndaj, sipas tij, duhej të ishte votuar në mënyrë unanime.
“Në momentin më vendimtar për procesin e integrimit europian të vendit, kolegët e mi të opozitës votojnë kundër. Shqipëria në Europë vlen më shumë se të gjitha partitë politike të marra së bashku,” shkroi ai.
Spaho pretendon se deputetët demokratë vepruan sipas udhëzimeve të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, ndërsa e cilësoi votën e tyre si një veprim që dëmton interesin kombëtar dhe procesin e integrimit europian.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike argumentoi se votoi kundër pasi, sipas saj, nuk u pranuan amendamentet që kishte propozuar lidhur me forcimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen e mbrojtjes politike për zyrtarët e akuzuar dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave.
Mazhoranca socialiste ka deklaruar se një pjesë e amendamenteve të opozitës u reflektuan në tekst, ndërsa akuzoi deputetët demokratë se refuzuan deklaratën për arsye politike.
Deklarata e përbashkët e Komitetit të Stabilizim-Asociimit miratohet zakonisht në përfundim të takimeve mes parlamentarëve shqiptarë dhe atyre të Parlamentit Europian dhe përmban vlerësime për ecurinë e procesit të integrimit, si dhe rekomandime për vijimin e reformave në vend.
