Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të mos përdorin vizën turistike për të udhëtuar në SHBA me qëllim lindjen e fëmijëve dhe përfitimin e shërbimeve shëndetësore të financuara nga programet publike.
Në një njoftim zyrtar, ambasada thekson se disa prindër udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me vizë turistike për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar shpenzimet mjekësore, duke bërë që këto kosto të rëndojnë mbi taksapaguesit amerikanë.
“Shumë prindër shqiptarë me viza turistike udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me qëllim për të lindur atje dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar kujdesin mjekësor. Këto shpenzime u kalojnë taksapaguesve amerikanë dhe ata prindër mund të mos kenë të drejtë t’i rinovojnë vizat e tyre në të ardhmen,” thuhet në mesazhin e Ambasadës.
Përfaqësia diplomatike rikujton se viza turistike duhet të përdoret vetëm për qëllimet për të cilat është lëshuar dhe se çdo aplikant është i detyruar të deklarojë me saktësi arsyen e udhëtimit.
Ambasada paralajmëron se përdorimi i vizës në kundërshtim me kushtet e saj mund të sjellë pasoja në aplikimet e ardhshme për vizë, përfshirë edhe refuzimin e rinovimit. Ajo u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e emigracionit dhe legjislacionin amerikan gjatë çdo udhëtimi në Shtetet e Bashkuara.
