Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për parandalimin e zjarreve, duke theksuar se zjarrvënia përbën një vepër penale dhe dënohet me masa të rënda sipas Kodit Penal.
Përmes një reagimi publik, Lamallari nënvizoi se çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut rrezikon jetën e qytetarëve, pronën, pyjet dhe pasuritë natyrore, ndërsa mbrojtja nga zjarret është përgjegjësi e përbashkët.
“Zjarrvënia nuk është pakujdesi, por krim që ndëshkohet me burgim. Çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut është një kërcënim për jetën, pronën, pyjet dhe të mirën e përbashkët. Kërkohet më shumë përgjegjësi qytetare dhe gatishmëri për të mbrojtur çdo qytetar dhe për të shmangur katastrofa,” u shpreh ministri.
Lamallari rikujtoi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndjeshëm sanksionet për zjarrvënien. Sipas legjislacionit në fuqi:
- Zjarrvënia e qëllimshme gjatë stinës së nxehtë, në kushte që favorizojnë përhapjen e flakëve ose pranë zonave të banuara dënohet me 5 deri në 8 vjet burg.
- Në rastet kur zjarri prek zona të mbrojtura, monumente kulture, objekte kulti ose infrastrukturë kritike, dënimi varion nga 4 deri në 10 vjet burg.
- Kur zjarrvënia kryhet me qëllim ndryshimin e destinacionit ose kategorisë së tokës, dënimi arrin deri në 15 vite burg.
Ministri theksoi se pas çdo zjarri fshihet një kosto e madhe njerëzore dhe materiale, pasi për shuarjen e flakëve angazhohen qindra efektivë, mjete zjarrfikëse dhe helikopterë, ndërsa dëmet në mjedis dhe ekonomi janë të konsiderueshme.
Në përfundim, Lamallari u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat për parandalimin e zjarreve dhe paralajmëroi se autoritetet do të zbatojnë tolerancë zero ndaj çdo rasti të zjarrvënies së qëllimshme.
