Protesta hyn në ditën e 40-të, qytetarët paralajmërojnë vijimin e tubimeve para Kryeministrisë

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 40-të, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe këtë mbrëmje para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Prej 40 ditësh radhazi, protestuesit janë mbledhur çdo mbrëmje në kryeqytet, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zhvillimin e reformave politike dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve. Gjatë tubimeve janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëri e Re”.

Mbrëmjen e kaluar, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke ndaluar edhe para Kuvendit dhe selisë së Partisë Demokratike, ku shprehën kritika edhe ndaj opozitës.

Gjatë javëve të fundit, në podiumin e protestës janë trajtuar çështje që lidhen me korrupsionin, varfërinë, emigracionin, gjendjen e shërbimeve publike dhe përdorimin e fondeve publike. Ditët e fundit, një nga temat kryesore të protestës ka qenë vendimi i qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West, i cili ka nxitur debate politike dhe reagime të shumta.

Organizatorët deklarojnë se protesta ka karakter qytetar dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të saj. Edhe këtë mbrëmje pritet që qytetarët të mblidhen sërish përpara Kryeministrisë për të vijuar protestën në ditën e 40-të.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related