Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për shqyrtimin me përparësi të rigjykimit të çështjes që lidhet me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në një shkresë të firmosur prej tij dhe avokatit Plarent Ndreca, Veliaj argumenton se çdo vonesë procedurale cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë ushtrimin e mandatit të tij si kryebashkiak, duke e bërë të pariparueshme pasojën edhe në rast të një vendimi të favorshëm në të ardhmen.
“Çdo vonesë në rigjykim nuk është thjesht vonesë procedurale; ajo konsumon vetë kohën e mandatit dhe e bën gjithnjë e më të pakthyeshme pasojën që masa e sigurimit ka prodhuar mbi ushtrimin e funksionit publik,” thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë.
Sipas Veliajt, një vendim pozitiv i dhënë vetëm pasi të ketë kaluar një pjesë e konsiderueshme e mandatit do të mbetej pa efekt praktik, pasi nuk do të mund të rikthente kohën e humbur në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe as të riparonte pasojat institucionale të krijuara.
Në shkresë theksohet gjithashtu se situata prek edhe të drejtën e qytetarëve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre.
Përveç kërkesës për shqyrtim të përshpejtuar, Veliaj i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të administrojë një material prej 97 faqesh me parashtrime dhe të zgjidhë përfundimisht çështjen e masës së sigurisë, pa e rikthyer atë për rishqyrtim në gjykatat më të ulëta.
Çështja u rikthye në Gjykatën e Lartë pas vendimit të 25 majit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë, që kishte lënë në fuqi masën “arrest në burg”, nuk kishte dhënë një arsyetim të plotë për disa nga pretendimet e paraqitura nga Veliaj.
