Protestat që organizatorët i cilësojnë si lëvizje qytetare kundër qeverisë kanë vijuar edhe këtë mbrëmje në Tiranë, duke hyrë në ditën e 38-të radhazi. Protestuesit janë mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë, ku janë mbajtur fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës.
Gjatë fjalës së saj, protestuesja Luçiana Kokaj u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë unitetin dhe të vazhdojnë mobilizimin.
“Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën: të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë mangësi, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën,” tha ajo.
Kokaj shprehu gjithashtu mirënjohje për personat që, sipas saj, kontribuojnë në organizimin dhe përhapjen e protestës, duke u bërë thirrje mbështetësve të shmangin përçarjet dhe akuzat e pabazuara.
Në fund të fjalës së saj, ajo përsëriti kërkesat politike të protestës, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke artikuluar slogane kundër figurave kryesore politike.
Këto deklarata përfaqësojnë qëndrimet e protestueses dhe të organizatorëve të tubimit. Qeveria nuk ka reaguar në këtë moment lidhur me deklaratat e bëra gjatë protestës.
