Riformatim në Policinë e Shtetit, hapet gara për tre departamente kyçe dhe priten ndryshime në disa qarqe

Data

Policia e Shtetit pritet t’i nënshtrohet një faze të re riorganizimi, pasi Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, ka nisur procedurat për riformatimin e disa prej strukturave më të rëndësishme të institucionit.

Sipas burimeve, është hapur gara për drejtimin e tre departamenteve kyçe: Policia Kriminale, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Departamenti për Kufirin dhe Migracionin. Paralelisht, priten ndryshime edhe në drejtimin e disa drejtorive vendore të policisë në qarqe.

Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se Departamenti i Policisë Kriminale, i drejtuar prej afro katër vitesh nga Neritan Nallbati, pritet të ketë një drejtues të ri. Mes emrave më të përfolur për këtë post është Ervin Hodaj.

Ndryshime parashikohen edhe në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku Pëllumb Seferi, i cili e drejton këtë strukturë që prej vitit 2020, mund të zëvendësohet nga Idajet Faskaj.

Në kuadër të ristrukturimit, lëvizje priten edhe në drejtimin e drejtorive vendore të Policisë në qarqet Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Durrës.

Hapet konkurrimi në Akademinë e Sigurisë

Ndërkohë është çelur edhe procesi i aplikimeve për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë për vitin akademik 2026–2027.

Për këtë vit janë parashikuar 60 kuota për maturantët që kanë përfunduar arsimin e mesëm brenda ose jashtë vendit. Aplikimet do të kryhen nëpërmjet portalit “U-Albania” nga data 27 korrik deri më 1 gusht 2026.

Procesi i përzgjedhjes do të përfshijë vlerësimin administrativ, testimin fizik, intervistën me gojë, testin psikologjik, kontrollin mjekësor dhe verifikimin e besueshmërisë.

Testimet do të zhvillohen nga 5 deri më 19 gusht, ndërsa lista paraprake e kandidatëve do të publikohet më 22 gusht. Pas shqyrtimit të ankimimeve, lista përfundimtare e fituesve do të shpallet më 26 gusht, ndërsa regjistrimet do të vijojnë deri më 8 shtator.

Sipas kritereve të përcaktuara, nota mesatare e arsimit të mesëm do të përbëjë 50% të vlerësimit final, testimi fizik 30% dhe intervista me gojë 20%, ndërsa testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor do të kenë karakter eliminues. Kandidatët fitues do të angazhohen me kontratë për të shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për një periudhë minimale prej tre vitesh pas përfundimit të studimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related