Këlliçi publikon dokumente: Rama gënjen për Porto Palermon, lejet e firmosura bien ndesh me deklaratat publike

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mashtrim publik lidhur me mbrojtjen e Gjirit të Porto Palermos, duke publikuar dokumente që, sipas tij, dëshmojnë të kundërtën e deklaratave të kreut të qeverisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se, ndërsa Rama deklaron se Porto Palermo është vendosur nën mbrojtje, vendimet e miratuara nga vetë qeveria lejojnë zhvillime brenda kësaj zone.

“Sot Edi Rama deklaroi se paska marrë në mbrojtje Porto Palermon. Por dokumentet zyrtare tregojnë krejt të kundërtën. Në rendin e ditës së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, më 25 shtator 2025, në pikën 60, është miratuar draft-vendimi për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 2 MW në Porto Palermo, nga shoqëria ‘Sea Solar Energy’ sh.p.k.”, shkruan Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, ky vendim bie ndesh me statusin që qeveria i dha zonës në vitin 2022, kur Gjiri i Porto Palermos u shpall zonë me rëndësi kombëtare dhe pjesë e Parkut Natyror të mbrojtur.

Këlliçi akuzon qeverinë se po ndjek një politikë me standarde të dyfishta, duke folur publikisht për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa në praktikë, sipas tij, miraton projekte zhvillimi në zona të mbrojtura.

“Harta e Shqipërisë është kthyer në tryezë interesash private”, shprehet ai, duke kërkuar transparencë të plotë mbi vendimmarrjen që prek pasuritë natyrore dhe vijën bregdetare të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related