Zelensky uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë: Së bashku do t’ia dalim të arrijmë paqen

Data

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka uruar Shtetet e Bashkuara me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe duke përsëritur kërkesën për furnizimin e vendit me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin Telegram, Zelensky e cilësoi këtë përvjetor si një moment historik që simbolizon vlerat e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

“Sot shënohet 250-vjetori i një prej ëndrrave më të ndritura, më të forta dhe më me ndikim të njerëzimit: ëndrra amerikane për një vend të pavarur, të lirë dhe të begatë, që mbron lirinë, besimin dhe kërkimin e lumturisë”, shkroi presidenti ukrainas.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Zelensky falënderoi SHBA-në për ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe politike, ndërsa theksoi se Ukraina ka ende nevojë për sisteme Patriot për të mbrojtur qytetet dhe popullsinë civile nga sulmet ajrore ruse.

“Kur i drejtohemi Amerikës për sistemet Patriot, besojmë se vlerat e respektit për jetën dhe njerëzit, që frymëzuan kombin amerikan 250 vjet më parë, do të udhëheqin edhe vendimet e sotme. Bota ka nevojë për një lidership që garanton mbrojtjen e lirisë dhe jetës”, u shpreh ai.

Në përfundim të mesazhit, presidenti ukrainas uroi qytetarët amerikanë për festën e 4 Korrikut, duke shprehur besimin se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë.

“Amerikë, faleminderit. Jam i bindur se, nëse qëndrojmë së bashku, do t’ia dalim të arrijmë paqen”, përfundoi Zelensky.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related