Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar se në Shqipëri kanë hyrë mbi 1.100 kilogramë bajame të importuara nga Spanja, të identifikuara me përmbajtje të acidit hidrocianik (HCN) mbi kufirin e lejuar.
Sipas AKU-së, produkti është sinjalizuar përmes sistemit evropian të alarmit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë (RASFF), pasi përbën rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Të dhënat e produktit
- Produkti: BLANCHED ALMOND EXTRA FINE (bajame të qëruara)
- LOT: LO12200001
- Data e skadencës: 22 tetor 2026
- Eksportuesi: Dryfo Menexopoulos Bros SA (Spanjë)
Operatorët importues në Shqipëri
Sipas verifikimeve të AKU-së, produkti është importuar nga tre operatorë:
- ALBANIA SMART DISTRIBUTION
- N.N SHPK
- ALTA GROUP
Nga kontrollet rezulton se:
- Sasia prej 1.100 kilogramësh, e importuar nga subjektet ALBANIA SMART DISTRIBUTION dhe N.N SHPK, është shitur te konsumatorët.
- Nga 100 kilogramët e importuar nga ALTA GROUP, 58 kilogramë janë shitur, ndërsa 42 kilogramë janë bllokuar dhe do të asgjësohen.
Thirrja e AKU-së
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë blerë produktin me të dhënat e mësipërme, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu.
AKU njofton se vijon monitorimin e rastit dhe procedurat për tërheqjen e plotë të produktit, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë dhe autoritetet përkatëse.
