Ambasada ruse në Tiranë mohon akuzat për përfshirje në protestat në Shqipëri

Data

Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë ka hedhur poshtë deklaratat që e lidhin Moskën me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar ato si të pabazuara.

Reagimi vjen një ditë pasi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se, sipas tij, pas përpjekjeve për destabilizimin e vendit mund të qëndrojnë aktorë të huaj, duke përmendur Iranin, vende fqinje dhe Kremlinin.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada ruse thekson se Federata Ruse respekton parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Sipas deklaratës, pretendimet për një rol të Kremlinit në protestat në Shqipëri janë “krejtësisht të pabaza”. Ambasada shton se Rusia “punon me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime” dhe i uron popullit shqiptar sukses dhe mirëqenie, pavarësisht zhvillimeve politike.

Në reagimin e saj, ambasada shpreh gjithashtu keqardhje për atë që e cilëson si përsëritje të akuzave ndaj Rusisë nga disa politikanë shqiptarë dhe përfaqësues të mediave, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi në deklaratat publike dhe për shmangien e, sipas saj, “kërkimit të armiqve aty ku nuk ekzistojnë”.

Deklaratat e Taulant Ballës dhe reagimi i Ambasadës ruse përfaqësojnë qëndrimet e palëve. Deri më tani nuk janë bërë publike prova që të konfirmojnë ose hedhin poshtë pretendimet për përfshirje të aktorëve të huaj në organizimin apo financimin e protestave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related