‘Sky News’ pasqyron protestat në Shqipëri: Demonstratat janë zgjeruar përtej çështjes së Zvërnecit

Data

Media britanike Sky News i ka kushtuar një artikull protestave që po zhvillohen në Shqipëri, duke raportuar se ato janë shndërruar nga një kundërshtim ndaj projektit të zhvillimit turistik në Zvërnec në demonstrata më të gjera kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Sipas raportimit, gjatë protestës së zhvilluar pranë Kuvendit në Tiranë pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Media shkruan se policia përdori gaz lotsjellës, sprej me piper dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës, pasi një pjesë e protestuesve hodhën gurë, vezë dhe sende të tjera në drejtim të forcave të rendit.

Duke iu referuar autoriteteve shqiptare, Sky News raporton se disa efektivë policie mbetën të lënduar dhe një numër protestuesish u ndaluan pas incidenteve.

Artikulli vëren se protestat, të cilat organizatorët i kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, nisën si reagim ndaj projektit të një resorti luksoz në zonën e Lagunës së Nartës, projekt i lidhur me investitorë ku përmendet edhe emri i Jared Kushner. Aktivistët mjedisorë kanë shprehur shqetësime se zhvillimi mund të ndikojë në habitatet e shpendëve të mbrojtur, përfshirë flamingot.

Sipas medias britanike, me kalimin e javëve protestat kanë marrë një karakter më të gjerë politik, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime në qeverisje. Gjatë tubimeve janë parë flamuj shqiptarë dhe figura simbolike të flamingove, ndërsa janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë.

Në artikull citohet edhe një protestuese, e cila shprehet se pjesëmarrësit kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet dhe se, sipas saj, kërkesat e tyre janë injoruar.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare e konsideron projektin turistik një investim me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turizmin e vendit, si edhe për forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Sky News sjell gjithashtu reagimin e Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili dënoi aktet e dhunës ndaj forcave të policisë dhe theksoi se sulmet ndaj efektivëve përbëjnë sulm ndaj institucioneve të shtetit.

Pasqyrimi i Sky News i shtohet raportimeve të disa mediave ndërkombëtare që kanë ndjekur zhvillimet e protestave në Shqipëri dhe debatet që lidhen me projektin e investimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related