Partia Demokratike Europiane (EDP) ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Në një deklaratë publike, EDP shprehet e shqetësuar për mungesën e dialogut politik dhe dënon përdorimin e forcës ndaj protestuesve, duke theksuar se institucionet duhet t’u përgjigjen qytetarëve përmes komunikimit dhe jo përmes përshkallëzimit të tensioneve.
Në reagimin e saj thuhet:
“Tridhjetë e tri ditë pa përgjigje. Tridhjetë e tri ditë pa dialog. Dhe tani, shumë shpesh, me shkopinj gome në vend të dëgjimit. Kjo nuk është mënyra se si sillet një demokraci: pushteti nuk duhet të bëhet kurrë i papërgjegjshëm, i hermetizuar ndaj qytetarëve, dhimbjes dhe pyetjeve të tyre. Shqipëria meriton institucione që përgjigjen, jo institucione që godasin.”
Partia Demokratike Europiane vlerëson gjithashtu se, pavarësisht tensioneve, prania e flamujve të Bashkimit Europian në protesta dëshmon se aspirata evropiane mbetet e fortë te një pjesë e qytetarëve shqiptarë.
Sipas deklaratës, ky simbolizëm tregon se Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe se përparimi drejt integrimit evropian kërkon institucione demokratike, dialog politik dhe respektimin e të drejtave themelore.
Reagimi i EDP-së vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e pestë dhe pas përplasjeve të fundit pranë Kuvendit, ku pati të lënduar, persona të shoqëruar dhe akuza të ndërsjella mes organizatorëve të protestës dhe autoriteteve për mënyrën e menaxhimit të tubimeve.
