Kancelari i Gjermani, Friedrich Merz, prezantoi paketën e re të reformave ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për rikthimin e ekonomisë gjermane në rrugën e rritjes.
“Sot është një ditë e mirë për Gjermaninë. Ne duam ta kthejmë vendin në një rrugë rritjeje dhe të garantojmë ruajtjen e shtetit të mirëqenies”, deklaroi Merz.
Sipas qeverisë gjermane, reformat synojnë të nxisin investimet, të ulin barrën burokratike dhe të forcojnë financat publike.
Ndryshimet kryesore
Paketa e reformave parashikon:
- Rritjen e normave tatimore për të ardhurat e larta, me një shkallë prej 45% për të ardhurat e tatueshme mbi 250 mijë euro dhe 47% për ato mbi 280 mijë euro.
- Lehtësime fiskale për shtresën e mesme dhe të ardhurat e ulëta, ku qytetarët me të ardhura deri në 60 mijë euro në vit pritet të përfitojnë ulje taksash deri në 600 euro në vit, duke nisur nga viti 2028.
- Thjeshtimin e procedurave administrative dhe tatimore, si pjesë e reduktimit të burokracisë.
- Masa më të forta kundër abuzimeve me përfitimet sociale.
- Ndryshime në tregun e punës, përfshirë heqjen e mundësisë për të marrë leje mjekësore vetëm përmes konsultimit telefonik. Në të ardhmen, certifikata mjekësore do të kërkohet që nga dita e parë e mungesës në punë.
Ministri i Financave, Lars Klingbeil, deklaroi se personat me të ardhura më të larta do të mbajnë një barrë më të madhe tatimore për të financuar reformat dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik.
Objektivat e qeverisë
Sipas Merz, qeveria synon që masat të miratohen deri në fund të vitit dhe të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Ai pranoi se nuk është e mundur të parashikohet me saktësi ndikimi ekonomik i reformave, por u shpreh se kombinimi i tyre pritet të nxisë rritjen ekonomike dhe të forcojë besimin e qytetarëve tek institucionet.
Në fushën e tregtisë ndërkombëtare, kancelari theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbrojë tregun e tij nga praktikat e padrejta tregtare dhe të ndërtojë marrëdhënie më të balancuara me Kinë.
“Ne mbështesim konkurrencën e ndershme, por do të mbrohemi nga subvencionet e padrejta, kapacitetet e tepërta të prodhimit dhe manipulimet monetare,” deklaroi Merz.
