Gjatë protestës së 32-të kundër qeverisë, një nga protestuesit që mori fjalën në podiumin e ngritur para Kryeministrisë deklaroi se lëvizja do të vazhdojë dhe se organizatorët mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre.
Sipas tij, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë.
Protestuesi iu referua gjithashtu tubimit të zhvilluar më herët gjatë ditës para Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku aktivistët dorëzuan librin “The Albanian Files”, duke kërkuar që ai të merret në shqyrtim në kuadër të hetimeve.
Në fjalën e tij, ai pretendoi se në projektet e përmendura në libër mund të ketë elemente që kërkojnë verifikim nga organet e drejtësisë dhe bëri thirrje që institucionet të hetojnë pretendimet e ngritura.
Protestuesi kërkoi gjithashtu që SPAK të përshpejtojë procedurat lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke iu referuar procedurave ligjore për heqjen e imunitetit parlamentar, nëse kjo do të kërkohet nga organi i akuzës.
Protesta vijoi me fjalime dhe thirrje të pjesëmarrësve para godinës së Kryeministrisë.
