Pesë persona mbetën të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, pas tre shpërthimeve me mjete artizanale që goditën banesat e disa zyrtarëve të partisë në pushtet Demokracia e Re në Selanik, në orët e para të mëngjesit.
Sipas policisë greke, shpërthimet u shkaktuan nga mjete të improvizuara të ndërtuara me bombola të vogla gazi. Në shënjestër ishin banesat e presidentit të komitetit rajonal të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimobits, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe kandidates së kësaj force politike, Afroditi Nestora.
Pas ngjarjes, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis udhëtoi drejt Selanikut, ku zhvilloi takime me drejtues lokalë të partisë dhe u informua mbi gjendjen e të plagosurve.
Në një deklaratë publike, Mitsotakis e cilësoi ngjarjen një “sulm frikacak, terrorist dhe vrasës”, duke theksuar se autoritetet nuk do të tregojnë tolerancë ndaj akteve të tilla të dhunës.
“Do t’i gjejmë autorët dhe do t’i çojmë para drejtësisë,” deklaroi ai.
Hetimet po drejtohen nga Njësia Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me autoritetet vendore. Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë lëvizur me motoçikletë dhe kanë vendosur mjetet shpërthyese në tre zona të ndryshme të Selanikut: Toumba, Pylaia dhe Charilaou.
Deri tani nuk janë identifikuar autorët dhe nuk është bërë publik motivi i sulmeve.
Greqia ka regjistruar në të kaluarën episode të dhunës politike të lidhura me grupe ekstremiste. Në korrik 2025, një shpërthim pranë banesës së kreut të shoqatës së punonjësve të burgjeve në Selanik la dy persona të plagosur lehtë, ndërsa në qershor 2024 një efektiv policie u plagos gjatë një sulmi me bombë me benzinë pranë banesës së një gjyqtari në Athinë.
