Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një pallat 10-katësh në qytetin e Antverpit, në Belgjikë.
Sipas autoriteteve, flakët shpërthyen në orët e mëngjesit në katin e tetë të godinës, ndërsa tymi i dendur u përhap me shpejtësi në ndërtesë, duke vështirësuar evakuimin e banorëve.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një prej banorëve duke kaluar nga ballkoni i apartamentit të tij drejt një apartamenti fqinj, në përpjekje për t’u larguar nga tymi.
Autoritetet bëjnë me dije se në pallat banojnë mbi 200 persona. Ekipet e shpëtimit kanë evakuuar dhjetëra banorë, ndërsa kanë konfirmuar edhe pesë viktima. Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende dhe po hetohen.
Në operacionin e emergjencës u angazhuan dhjetëra zjarrfikës, autoambulanca, forca policie dhe një njësi e specializuar me dronë. Gjithashtu, u aktivizua plani i emergjencës shëndetësore për të koordinuar transportin dhe trajtimin e të lënduarve në spitalet e zonës.
Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me banorët e prekur nga ngjarja.
