INSTAT: U ul numri i vdekjeve në vitin 2025, sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekshmërisë

Data

Numri i vdekjeve në Shqipëri ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Megjithatë, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut vijojnë të mbeten shkaku kryesor i humbjes së jetës në vend.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 u regjistruan 21.394 vdekje, ose 3.2% më pak krahasuar me vitin 2024, kur u raportuan 22.102 raste. Edhe norma bruto e vdekshmërisë ra në 910.5 vdekje për 100 mijë banorë, nga 929.8 një vit më parë.

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut përbënin 52.9% të të gjitha vdekjeve të regjistruara. Brenda këtij grupi, sëmundjet kronike të zemrës zinin 42.2% të rasteve, sëmundjet ishemike të zemrës 22.4%, ndërsa sëmundjet e enëve të trurit 18.8%.

Raporti tregon se 96.7% e vdekjeve kanë ardhur si pasojë e shkaqeve natyrale. Vdekjet nga aksidentet përbënin 2.2% të totalit, ndërsa vrasjet dhe vetëvrasjet përfaqësonin përkatësisht 0.2% dhe 0.9%, në nivele të pandryshuara krahasuar me vitin 2024.

Shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjeve ishte grupi “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, me 20.9% të totalit, ku pjesa më e madhe e rasteve lidhej me pleqërinë.

Tumoret renditeshin si shkaku i tretë kryesor i vdekshmërisë, me mbizotërim të tumoreve malinje të aparatit të tretjes, të ndjekura nga ato të aparatit të frymëmarrjes dhe organeve urogjenitale.

Sipas të dhënave të INSTAT, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Tumoret regjistrohen më shpesh te meshkujt, ndërsa vdekjet e lidhura me pleqërinë janë më të zakonshme te femrat.

Sa i përket vdekshmërisë foshnjore, gjatë vitit 2025 u regjistruan 106 raste, kundrejt 110 në vitin 2024. Norma e vdekshmërisë foshnjore mbeti e pandryshuar, në 4.7 vdekje për 1.000 lindje të gjalla.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related