Tabaku kritikon bonusin për pensionistët: “5 mijë lekë nuk mjaftojnë për rritjen e kostos së jetesës”

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar bonusin prej 5 mijë lekësh të akorduar nga qeveria për pensionistët, duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm për të përballuar rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaron se pensionistët shqiptarë marrin ndër pensionet më të ulëta në rajon, ndërsa përballen me çmime që, sipas saj, janë afër mesatares së Bashkimit Europian.

“Çfarë vlere ka një bonus prej 5 mijë lekësh kur gjithçka është shtrenjtuar? Çmimet në Shqipëri janë sa 90% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat janë vetëm rreth 20% e mesatares europiane,” shprehet ajo.

Deputetja demokratike thekson se, sipas të dhënave që citon, produktet e bulmetit kushtojnë mesatarisht 36% më shumë se mesatarja e BE-së, ndërsa shpenzimet për shëndetësinë përfaqësojnë vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Tabaku vëren se bonusi për rreth 777 mijë pensionistë i kushton buxhetit rreth 35 milionë euro, ndërsa, sipas saj, kostoja e koncesionit të rrugës Milot–Balldren ka arritur në rreth 360 milionë euro.

“Me një të rënë të lapsit, koncesioni i Milot–Balldrenit shkon në 360 milionë euro, ndërsa për 777 mijë pensionistë jepen vetëm 35 milionë euro. Kjo tregon se sa vlejnë pensionistët për këtë qeveri,” deklaron Tabaku.

Në përfundim, ajo thekson se pensionistët kanë nevojë për rritje të qëndrueshme të pensioneve dhe jo për bonuse të përkohshme, duke shtuar se fondet publike duhet të orientohen drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related