Është identifikuar viktima e aksidentit të rëndë të ndodhur pasditen e së martës në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, në autostradën Durrës–Tiranë.
Bëhet fjalë për shtetasin R. H., 36 vjeç, drejtuesi i mjetit të linjës Berat–Tiranë, i cili humbi jetën si pasojë e aksidentit.
Sipas të dhënave zyrtare, nga ngjarja mbetën të plagosur edhe 12 pasagjerë. Disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim në Spitalin e Traumës, ndërsa një pjesë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Sipas dyshimeve paraprake, drejtuesi i mjetit mund të ketë pësuar një problem të papritur shëndetësor, por shkaku zyrtar do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.
