Protesta e zhvilluar paraditen e sotme para Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione, ndërsa protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të godinës së Parlamentit, ku po zhvillohej seanca plenare.
Tubimi nisi në të njëjtën kohë me seancën parlamentare, e cila filloi në orën 10:00. Gjatë mbërritjes së deputetëve në Kuvend, protestuesit i pritën me thirrje si: “Ju erdhi fundi” dhe “Opozitë e shitur”.
Më herët, një grup protestuesish tentoi të vendoste pranë hyrjes së Kuvendit një kosh mbeturinash me emra deputetësh të shkruar mbi të, por u pengua nga forcat e Policisë.
Zona përreth Parlamentit është rrethuar nga forca të shumta policore për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e seancës plenare, ndërsa protesta ka vijuar me thirrje kundër klasës politike.
