Protestat që po zhvillohen prej më shumë se një muaji në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. E përditshmja zvicerane Aargauer Zeitung ka publikuar një analizë kushtuar lëvizjes protestuese, duke trajtuar shkaqet e protestave, projektin turistik në zonën e Zvërnecit dhe reagimet e palëve të përfshira.
Sipas gazetës, mijëra qytetarë mblidhen çdo mbrëmje në kryeqytet për të protestuar kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e mbrojtur të Vjosa–Nartës, ndërsa flamingot rozë janë shndërruar në simbol të lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
Në analizë thuhet se, megjithëse pjesëmarrësit nuk përfaqësojnë një forcë të vetme politike, një pjesë e madhe e tyre kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Artikulli përshkruan projektin turistik të planifikuar në ishullin e Sazanit dhe në bregdetin pranë Lagunës së Nartës, duke theksuar se ai ka nxitur debate për ndikimin e mundshëm në mjedis. Sipas medias zvicerane, ambientalistët dhe protestuesit shprehin shqetësim për pasojat që mund të ketë zhvillimi i projektit mbi biodiversitetin dhe kërkojnë më shumë transparencë në procesin e miratimit.
Në analizë përfshihen edhe intervista me pjesëmarrës të protestave, mes tyre artistja Fatma Paja dhe guida turistike Arben Kola. Ata shprehen se lëvizja synon mbrojtjen e zonave natyrore, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies në vendimmarrjen publike.
Gazeta paraqet edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama e konsideron projektin një investim me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit, duke deklaruar se procedurat ligjore dhe vlerësimet mjedisore do të respektohen gjatë zhvillimit të tij.
Në pjesën përmbyllëse, Aargauer Zeitung ndalet te pjesëmarrja e gjerë qytetare në protesta, duke evidentuar praninë jo vetëm të të rinjve, por edhe të pensionistëve. Gazeta sjell si shembull Bujare Ishmin, e cila është kthyer në një nga figurat simbolike të protestave dhe shprehet në favor të transparencës, shtetit ligjor dhe respektimit të procedurave në projektet publike.
