Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me kërkesat e paraqitura nga protestuesit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se çështjet e ngritura në kërkesë kanë karakter legjislativ dhe nuk përbëjnë objekt për një interpelancë urgjente.
“Shumica e çështjeve të ngritura kanë natyrë legjislative, pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave. Për këtë arsye, kërkesa nuk pranohet”, u shpreh Peleshi.
Nga ana e tij, Bardhi e cilësoi vendimin si një refuzim të parlamentarizmit dhe akuzoi mazhorancën se po shmang llogaridhënien e kryeministrit përballë Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat përdori edhe një telefon celular për të transmetuar në sallë një regjistrim me thirrjet e protestuesve, ku dëgjohej slogani “Rama, jep dorëheqjen”, duke deklaruar se ai përfaqëson kërkesën e qytetarëve që protestojnë prej disa javësh.
Seanca u shoqërua edhe me replika të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Në përfundim të votimit, kërkesa për interpelancë urgjente u rrëzua me 75 vota kundër dhe 23 vota pro.
