Protesta e 30-të radhazi kundër qeverisë po vijon në Tiranë, ku organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, aktivisti Arben Kola deklaroi se në tubimin e kësaj mbrëmjeje janë të pranishëm eurodeputetë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
“Sot, edhe për fjalimet kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi do të kemi edhe katër eurodeputetë. Ata vijnë nga Holanda, Gjermania dhe Italia,” u shpreh Kola.
Ai shtoi se organizatorët presin që në të ardhmen protestës t’i bashkohen edhe përfaqësues të politikës amerikane.
“Në të ardhmen do të kemi edhe senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Kushdo që kontribuon për arritjen e objektivave të kësaj proteste është i mirëpritur,” deklaroi ai.
Protestuesit, të mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohet tubimi qendror i protestës së 30-të.
