Vuçiç: Serbia do të shtojë raketat kineze CM-400 dhe do të forcojë flotën ajrore ushtarake

Data

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Serbia do të rrisë arsenalin e saj me raketa kineze CM-400 dhe do të vazhdojë investimet në modernizimin e forcave të armatosura, përfshirë blerjen e avionëve të rinj luftarakë.

Deklaratat u bënë gjatë një stërvitjeje ushtarake dhe ekspozimi të armatimit të Ushtrisë së Serbisë, të organizuar më 28 qershor në aeroportin ushtarak të Batajnicës pranë Beogradit dhe në poligonin ushtarak Pasulanske Livade, me rastin e festës së Vidovdanit.

Gjatë aktivitetit u prezantuan kapacitetet e njësive të artilerisë, mbrojtjes kundërajrore, aviacionit, tankeve, këmbësorisë së mekanizuar dhe sistemeve me dronë. Në ekspozitë u shfaqën edhe raketat kineze CM-400, të blera nga Serbia në muajin mars.

“CM-400 janë raketa të frikshme. Do ta rrisim numrin e tyre”, deklaroi Vuçiç.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), gjatë periudhës 2020–2024, rreth 57 për qind e importeve të armëve të Serbisë kanë ardhur nga Kina, 20 për qind nga Rusia dhe 7.4 për qind nga Franca.

Vuçiç bëri të ditur gjithashtu se pilotët serbë kanë nisur trajnimet për përdorimin e avionëve luftarakë francezë Rafale, të porositur në vitin 2024.

“Pas Rafaleve do të vijnë së shpejti edhe avionë të rinj. Do të kemi avionë luftarakë dhe avionë për trajnim. Do të kemi gjithçka, prandaj do të na duhen edhe shumë pilotë të tjerë”, tha ai.

Presidenti serb ritheksoi se Beogradi nuk do të heqë dorë nga politika e neutralitetit ushtarak, duke shtuar se Serbia synon të zhvillojë stërvitje me të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

“Pas përfundimit të luftës në Ukrainë do t’i vazhdojmë stërvitjet me të gjithë. Do ta ruajmë neutralitetin tonë ushtarak dhe nuk do të heqim dorë prej tij”, u shpreh Vuçiç.

Serbia është pjesë e programit të NATO-s Partneriteti për Paqe që nga viti 2006, por vijon të ndjekë politikën e neutralitetit ushtarak. Paralelisht me bashkëpunimin me vendet e NATO-s, Beogradi ka zgjeruar edhe bashkëpunimin ushtarak me Kinën, duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta dhe duke blerë pajisje ushtarake kineze, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related