Mijëra qytetarë protestuan këtë të diel në qytetin e Kraljevës, duke vijuar demonstratat kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç, një ditë pasi ai njoftoi se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Pjesëmarrësit në protestë deklaruan se dorëheqja e presidentit nuk është e mjaftueshme, duke kërkuar ndryshime më të gjera në sistemin politik dhe institucional të vendit.
“Nuk mund ta imagjinoj që ai do të largohet dhe do t’ia lërë pushtetin dikujt tjetër”, u shpreh një prej protestuesve, duke shprehur skepticizëm se Vuçiç do të tërhiqet plotësisht nga politika.
Demonstratat, të udhëhequra prej muajsh nga studentët, nisën pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në fund të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit e kanë lidhur ngjarjen me problemet e korrupsionit dhe keqmenaxhimit institucional, akuza që presidenti Vuçiç i ka mohuar vazhdimisht.
Në sheshin qendror të Kraljevës, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime në mbështetje të lëvizjes studentore dhe bënin thirrje për reforma të thella.
Analistët vlerësojnë se zhvillimet politike në Serbi do të ndiqen me vëmendje nga Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa vendi vijon procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
