Vuçiç: Serbia do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në mars 2027

Data

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të nisë në mars të vitit 2027, duke e cilësuar atë si një shërbim “shumë të shkurtër” që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Deklarata u bë gjatë një vizite në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviq” në Batajnicë, pranë Beogradit, ku Vuçiç inspektoi armatimin dhe pajisjet e forcave të armatosura serbe.

“Para kësaj do të fillojnë procedurat burokratike, ndërsa në mars do të fillojmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do t’i forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, u shpreh presidenti serb.

Vuçiç nuk sqaroi kohëzgjatjen përfundimtare të shërbimit, megjithëse më herët gjatë këtij viti kishte deklaruar se ai pritet të zgjasë rreth 75 ditë.

Për hyrjen në fuqi të këtij ndryshimi kërkohet miratimi i Kuvendit të Serbisë.

Qeveria serbe ka paralajmëruar prej vitesh rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Procesi mori formë në janar 2024, kur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe i propozoi presidentit rikthimin e tij. Në shtator të po atij viti, Vuçiç nënshkroi marrëveshjen për nisjen e procedurave për rivendosjen e shërbimit ushtarak.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ishte pezulluar më 1 janar 2011, duke u zëvendësuar me sistemin e shërbimit vullnetar.

Edhe vende të tjera evropiane kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm vitet e fundit. Kroacia miratoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në tetor 2025, ndërsa shtete si Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Greqia, Estonia, Turqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia vazhdojnë ta zbatojnë këtë model.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related