Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”, ku ky i fundit mbrojti botimin “The Albanian Files” dhe kritikoi reagimet ndaj tij.
Në një video-mesazh, Berisha akuzoi Ramën se po përpiqet të përdorë emrat e arkitektëve dhe studiove ndërkombëtare për të justifikuar, sipas tij, mungesën e transparencës në projektet urbane dhe zhvillimore në Shqipëri.
Sipas kreut të PD-së, libri nuk paraqet një histori suksesi, por ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të projekteve dhe vendimmarrjes në vend.
Berisha deklaroi se publikimi përfshin qindra projekte arkitekturore dhe shtroi pyetjen se si janë financuar ato.
“Janë të paktën 523 projekte. Duhet të bëhet transparente se kush i ka financuar dhe cili është burimi i këtyre fondeve”, u shpreh ai.
Kryetari i opozitës u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Eurojust, Europol dhe Interpol, që të verifikojnë, sipas tij, burimin e financimeve dhe pagesave të lidhura me këto projekte.
Në reagimin e tij, Berisha ngriti gjithashtu akuza për konflikt interesi në lidhje me zhvillime turistike në zonën e Gjipesë, duke pretenduar se ka përfitime familjare të lidhura me kryeministrin. Ai nuk paraqiti prova publike në mbështetje të këtyre pretendimeve.
Në përfundim, Berisha vlerësoi reagimin e protestuesve ndaj librit “The Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar dhe të justifikuar.
Deklaratat e Berishës vijnë pasi më herët gjatë ditës kryeministri Edi Rama mbrojti botimin, duke theksuar se “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, ku autorët kanë pasur autonomi të plotë në përzgjedhjen e materialeve dhe se interpretimet politike të disa teksteve në libër janë, sipas tij, të pabazuara.
