Efektivë të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një ndërhyrje paraditen e së dielës në ambientet përpara Kryeministrisë, ku prej disa ditësh protestuesit po qëndronin gjatë natës në shenjë proteste kundër qeverisë.
Pas largimit të protestuesve nga zona, policia hoqi edhe stolat metalikë që, sipas organizatorëve, përdoreshin si barriera sigurie pranë podiumit të improvizuar, ku mbaheshin fjalimet dhe aktivitetet e protestës.
Ndërhyrja vjen në ditën kur është paralajmëruar zhvillimi i protestës së 29-të radhazi kundër qeverisë. Organizatorët kanë deklaruar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe se protestat do të vijojnë deri në realizimin e këtij objektivi.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me arsyet e largimit të protestuesve dhe heqjes së materialeve të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë.
