Aktivisti Andi Tepelena: Protestat kanë ruajtur qëndrueshmërinë, Rama duhet të largohet sa më parë

Data

Aktivisti Andi Tepelena ka komentuar ecurinë e protestave qytetare që po zhvillohen në Tiranë, duke kundërshtuar pretendimet se pjesëmarrja është në rënie. Sipas tij, tubimet kanë ruajtur një pjesëmarrje të qëndrueshme dhe vijojnë të tërheqin qytetarë nga i gjithë vendi dhe diaspora.

“Nuk është e vërtetë që numri i protestuesve është tkurrur. Numrat janë të qëndrueshëm. Çdo ditë marrin pjesë të rinj, familjarë dhe qytetarë të tjerë. Ndërsa të shtunave zhvillohen protesta kombëtare, ku bashkohen edhe shqiptarë nga trevat dhe diaspora”, deklaroi Tepelena.

Ai u shpreh se protestat kanë sjellë në vëmendje publike, sipas tij, skandalet që lidhen me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

“Kjo është një rezistencë qytetare. Skandalet e kësaj qeverie po dalin në dritë të diellit dhe para shqiptarëve. Një nga arritjet e protestës është se ‘mbreti’ tashmë është lakuriq, për shkak të korrupsionit që, sipas nesh, është i përmasave të mëdha”, tha aktivisti.

Duke folur për protestën e paralajmëruar më 2 korrik, Tepelena tha se data është zgjedhur për simbolikën historike që lidhet me eksodin e shqiptarëve drejt ambasadave dhe emigrimin masiv.

“2 korriku është një datë simbolike, që lidhet me largimin e shqiptarëve nga vendi për arsye ekonomike. Besojmë se ka ardhur koha të vendoset nëse do të largohet populli shqiptar apo do të largohet Edi Rama. Unë mendoj se kryeministri duhet të largohet sa më parë”, u shpreh ai.

Në përfundim, Tepelena theksoi se protesta, sipas tij, ka krijuar një kohezion të gjerë qytetar dhe kombëtar, me pjesëmarrje nga Shqipëria dhe diaspora.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related