Në protestën e zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë, gazetari Osman Stafa mbajti një fjalim ku u ndal te problematikat që, sipas tij, karakterizojnë sistemin shëndetësor në Shqipëri.
Ai vlerësoi pjesëmarrjen e protestuesve dhe tha se qëndrueshmëria e tyre përbën një element të rëndësishëm të lëvizjes qytetare.
Gjatë fjalës së tij, Stafa ngriti shqetësime për funksionimin e spitaleve publike, duke pretenduar se pacientët përballen me mungesë analizash, ilaçesh dhe pajisjesh.
“Pas datës 20 të çdo muaji në spitalet shqiptare ndërpriten analizat. Mungojnë ilaçet në spitalin onkologjik. Edhe në Neurokirurgji ka mungesa. Nuk ka pajisje për të kuruar kancerin,” deklaroi ai.
Në vijim, gazetari kundërshtoi pretendimet se protestat organizohen nga faktorë të jashtëm, duke argumentuar se pakënaqësitë burojnë nga problemet që qytetarët hasin në jetën e përditshme.
“Thuhet se janë agjenturat e huaja që organizojnë protestën. Agjenturat e huaja i lanë spitalet pa ilaçe? Ato e shpopulluan këtë vend? Ato i ngritën çmimet e ushqimeve? Ato i lanë pensionet kaq të ulëta? Kjo është historia dhe e vërteta jonë,” u shpreh Stafa.
Deklaratat e tij u pritën me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të pranishëm në tubim.
