Nënë Liza i bashkohet protestës: “Na nxorën nga banesat me dhunë, dua që Rama të japë dorëheqjen”

Data

Simboli i rezistencës së banorëve të zonës së “5 Majit”, e njohur si Nënë Liza, iu bashkua protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, ku shprehu kritika të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Në prononcimin e saj për mediat, ajo deklaroi se arsyeja e pjesëmarrjes në protestë lidhet me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, duke pretenduar se familja e saj dhe banorë të tjerë janë nxjerrë me forcë nga banesat gjatë procesit të shembjeve në zonën e “5 Majit”.

“Kam vendosur të bashkohem sepse ky duhet të ikë një sahat e më parë. Na ka nxjerrë nga shtëpitë me dajak. Mua më kanë tërhequr zvarrë, 1500 policë më rrethuan shtëpinë, fëmijët m’i futën në burg,” u shpreh ajo.

Nënë Liza ngriti gjithashtu shqetësime për nivelin e pensioneve, të ardhurat e familjeve dhe kushtet e jetesës, duke deklaruar se pas largimit nga banesa ka ndryshuar disa herë shtëpinë me qira.

“Jam pa lekë dhe pa shtëpi, katër herë kemi ndryshuar shtëpinë me qira. Pensionet i rriti vetëm 2 mijë lekë. Është mësuar vetëm të mashtrojë,” tha ajo.

Duke iu referuar deklaratave të mëparshme të kryeministrit për protestuesit, ajo shtoi: “Na quajti dele, kush janë delet? Burri që është burrë del para popullit, nuk fshihet.”

Në përfundim, ajo deklaroi se, sipas saj, protesta duhet të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës kryesore të protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related