Tabaku: Transparenca ekonomike është çështje e sigurisë kombëtare, korrupsioni dhe pastrimi i parave rrezikojnë demokracinë

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Countering Authoritarian Influence”, të organizuar nga International Republican Institute, ku diskutoi mbi sfidat që autoritarizmi dhe ndërhyrjet e huaja paraqesin për demokracitë.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se ndikimet e jashtme gjejnë terren aty ku institucionet janë të dobëta dhe ku korrupsioni, mungesa e transparencës dhe rënia e besimit të qytetarëve ndaj shtetit krijojnë hapësira për cenimin e demokracisë.

Duke iu referuar Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo argumentoi se korrupsioni, pastrimi i parave, krimi i organizuar dhe kapja e shtetit nuk janë më vetëm probleme të qeverisjes së mirë, por përbëjnë rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.

“Siguria ekonomike është siguri kombëtare. Siguria energjetike është siguri kombëtare. Siguria teknologjike është siguri kombëtare. Po kështu edhe transparenca financiare”, u shpreh deputetja, duke nënvizuar nevojën për mekanizma që mbrojnë vendin nga varësitë strategjike.

Tabaku prezantoi gjithashtu dy nisma që ka mbështetur në Kuvend. E para lidhet me krijimin e një mekanizmi për shqyrtimin e investimeve të huaja strategjike (FDI Screening), i cili synon të kontrollojë investimet në sektorë kritikë si infrastruktura, energjia, telekomunikacioni, portet dhe teknologjitë strategjike.

Nisma e dytë përfshin një paketë masash kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, me fokus në rritjen e transparencës së pronësisë përfituese të kompanive, forcimin e kontrollit mbi transaksionet e mëdha financiare, rritjen e transparencës në prokurimet publike dhe kufizimin e hyrjes së kapitaleve të paligjshme në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Në përfundim, deputetja u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vlerësohen mbi bazën e zbatimit konkret të reformave dhe jo vetëm të angazhimeve politike. Ajo theksoi se ndërtimi i shtetit të së drejtës, transparenca, llogaridhënia dhe besimi i qytetarëve tek institucionet mbeten mbrojtja më e fortë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe ndikimeve autoritare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related