Operacionet e kërkim-shpëtimit në Venezuelë vijojnë pa ndërprerje pas dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën vendin, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar të paktën 164 viktima dhe rreth 1,000 të plagosur. Bilanci mbetet paraprak dhe pritet të rëndohet, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja.
Mes tragjedisë, një histori shprese ka ardhur nga shteti La Guaira, zona më e goditur nga katastrofa. Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara edhe nga banorët vendas, arritën të nxjerrin gjallë tre fëmijë të cilët kishin mbetur të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur. Pamjet e shpëtimit, ku fëmijët shfaqen të mbuluar me pluhur, por të gjallë, janë transmetuar nga mediat shtetërore dhe janë shpërndarë gjerësisht në mbarë botën.
Autoritetet venezueliane kanë mbajtur në fuqi gjendjen e jashtëzakonshme dhe protokollet e emergjencës, ndërsa vijojnë vlerësimet për dëmet e shkaktuara në infrastrukturë. Sipas presidentes në detyrë, Delcy Rodríguez, rreth 30 lëkundje pasuese janë regjistruar pas goditjes së dyfishtë sizmike, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për banorët dhe ekipet e shpëtimit.
Rodríguez bëri të ditur se ekipe të specializuara ndërkombëtare, në koordinim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe disa shtete partnere, janë nisur drejt Venezuelës për t’iu bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit në zonat më të prekura.
