Agron Shehaj pas deklaratës së Ramës në Financial Times: Fundi i një kryeministri është kur shan popullin e tij

Data

Kreu i Partia Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në intervistën e dhënë për Financial Times.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj kritikoi gjuhën e përdorur nga Rama ndaj kundërshtarëve dhe protestuesve, duke e cilësuar atë si një shenjë të konsumimit politik të qeverisjes.

“Fundi i një kryeministri është kur i thotë ‘F*ck You’ popullit të tij”, shkroi Shehaj, duke iu referuar deklaratës së Ramës në intervistë.

Në bisedën me Financial Times, kryeministri reagoi ndaj akuzave që e cilësojnë si “Kumbari”, duke deklaruar:

“Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘F*ck You’. Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari, por atyre ta provojnë se jam.”

Shehaj, i cili që nga fillimi i protestave ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, e konsideroi këtë gjuhë të papërshtatshme për një drejtues qeverie dhe argumentoi se ajo reflekton tensionin e krijuar nga situata politike në vend.

Kreu i Partisë Mundësia ka qenë një nga zërat opozitarë që ka mbështetur publikisht protestat kundër qeverisë. Më herët ai u përjashtua nga seancat parlamentare pas përplasjes verbale me Ramën në Kuvend, ku kërkoi dorëheqjen e tij.

Reagimi i Shehajt i shtohet serisë së kritikave që kanë ardhur nga figura të opozitës pas intervistës së kryeministrit, ndërsa debati politik rreth protestave dhe gjuhës së përdorur në diskursin publik vijon të mbetet në qendër të vëmendjes

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related