Seanca e radhës në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani” u shoqërua me pyetjet e drejtuara nga i pandehuri Jamarbër Malltezi ndaj ish-ministrit të Sporteve, Ylli Pango, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit.
Gjatë dëshmisë së tij, Pango deklaroi se nuk kishte dijeni ose nuk mbante mend detaje lidhur me një sërë çështjesh që iu paraqitën në seancë, përfshirë administrimin e pronave të ish-Klubit Shumësportësh Partizani dhe procedurat që lidhen me to.
I pyetur nëse kishte diskutuar ndonjëherë për këtë çështje me ish-kryeministrin Sali Berisha, Pango u përgjigj se nuk e kujtonte nëse kishte pasur biseda të tilla.
Malltezi ngriti gjithashtu pyetje lidhur me dokumente dhe procedura të viteve të mëparshme, përfshirë pretendime mbi zaptimin e pronave, ngritjen e komisioneve të posaçme dhe ndryshimin e destinacionit të truallit.
Për shumicën e këtyre pyetjeve, Pango deklaroi se nuk kishte dijeni ose nuk i mbante mend ngjarjet e përmendura, duke theksuar se në periudhën e referuar nuk ushtronte funksione në administratën shtetërore.
I pyetur nëse kishte dijeni për leje ndërtimi të dhëna nga Edi Rama gjatë kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, dëshmitari u përgjigj shkurt: “Jo”.
Procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” vijon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave të paraqitura nga palët, ndërsa çështja mbetet një nga procedimet më të rëndësishme të ndjekura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
