Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me drejtues të lartë të policisë italiane për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë ndërkombëtare.
Në takim morën pjesë Lorenzo Bucossi dhe Marco Cali.
Gjatë bisedimeve, palët vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane, duke theksuar rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore. Sipas vlerësimeve të bëra gjatë takimit, Policia shqiptare ka numrin më të madh të këtyre skuadrave pikërisht me autoritetet italiane, çka konsiderohet dëshmi e besimit të ndërsjellë dhe e efikasitetit të bashkëpunimit operacional.
Palët vlerësuan gjithashtu rezultatet e arritura në monitorimin ajror dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, një model bashkëpunimi që ka marrë vlerësime pozitive edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Drejtori Hita falënderoi autoritetet italiane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Shtetit, si në aspektin operacional ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve profesionale të efektivëve shqiptarë.
Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi në fushën e arsimit policor, ku u vlerësua kontributi italian në mbështetje të Akademia e Sigurisë, përmes literaturës profesionale, shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira evropiane.
Në përfundim, të dyja palët riafirmuan angazhimin për të thelluar partneritetin strategjik, për të rritur shkëmbimin e informacionit dhe për të zhvilluar iniciativa të reja të përbashkëta për përballimin e kërcënimeve që lidhen me krimin ndërkombëtar dhe sigurinë rajonale.
