Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka komentuar operacionet e fundit të SPAK kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, duke deklaruar se hetimet po nxjerrin në dritë lidhje që prekin si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.
Gjatë një interviste televizive, Alibeaj u shpreh se dosjet e fundit të Prokurorisë së Posaçme tregojnë qartë ekzistencën e interesave të përbashkëta ekonomike dhe financiare që, sipas tij, lidhen me të dy krahët e politikës shqiptare.
“Ja dhe në historinë e këtyre dy dosjeve të fundit shihen fare qartë fijet, lidhjet dhe interesat ekonomike e financiare që shkojnë sa në qeveri, aq edhe në opozitën e Berishës”, deklaroi Alibeaj.
Sipas tij, përplasjet politike mes palëve shpeshherë mbeten në sipërfaqe, ndërsa në prapaskenë veprojnë të njëjtët aktorë ekonomikë.
“Këta bëjnë sikur janë kundërshtarë politikë. Poshtë tyre qëndron një shtresë e përbashkët biznesmenësh, që kanë qenë dikur pranë njërës palë dhe sot pranë tjetrës”, tha ai.
Alibeaj komentoi gjithashtu protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke kritikuar qëndrimin e Partisë Demokratike. Ai argumentoi se mbështetja e opozitës për protestuesit ka ardhur me vonesë dhe nuk përfaqëson qëndrimin real të drejtuesve të saj.
Sipas tij, deklaratat e mëparshme të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në favor të investimeve të huaja në zonë, mbeten treguesi më i qartë i pozicionit të partisë.
“Situata e vërtetë dhe vullneti i vërtetë është ai që tha ditën e parë dhe nuk e ka mohuar as sot. Sali Berisha vazhdon të thotë se investimet e huaja në rastin e Zvërnecit duhen mbështetur”, u shpreh Alibeaj.
Ai shtoi se prania e disa deputetëve demokratë në protestë nuk ndryshon qëndrimin politik të Partisë Demokratike ndaj projektit, duke nënvizuar se çështja kërkon më shumë qartësi dhe koherencë politike.
Deklaratat e Alibeajt vijnë në një moment kur hetimet e SPAK ndaj grupeve kriminale dhe skemave të dyshuara të pastrimit të parave kanë rikthyer në qendër të debatit publik raportet mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar.
