Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave që prej 18 ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si një shfaqje të ekstremizmit politik që synon të marrë pushtetin përmes presionit të rrugës.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka bërë një paralelizëm mes fenomeneve ekstremiste të së kaluarës dhe formave moderne të presionit publik, duke argumentuar se demokracia rrezikohet kur debati zëvendësohet nga intimidimi dhe linçimi publik.
“Një nga mësimet e vyera të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën. Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit”, shkruan Rama.
Sipas tij, lëvizje të tilla kanë qenë karakteristike për grupimet ekstremiste në Evropën e periudhës para Luftës së Dytë Botërore dhe sot po marrin forma të reja përmes rrjeteve sociale dhe platformave dixhitale.
Kryeministri thekson se presioni publik dhe sulmet online po krijojnë një klimë ku qytetarët zgjedhin të heshtin nga frika e bullizmit, fyerjeve dhe kërcënimeve.
“Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja”, shprehet ai.
Rama shton se historianët kanë treguar se fenomenet e terrorit të rrugës fillojnë me akte që në pamje të parë duken të vogla, si sharjet, intimidimi, poshtërimi publik dhe marshimet e organizuara, por që me kalimin e kohës krijojnë presion mbi hapësirën demokratike.
Në fund të reagimit të tij, kryeministri iu referua pamjeve të publikuara nga protesta e zhvilluar një natë më parë në qendër të Tiranës, duke argumentuar se ato tregojnë një realitet larg frymës së qytetarisë demokratike.
Deklarata e Ramës vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë të mbledhin qytetarë në kryeqytet, ndërsa debati politik mes mazhorancës dhe opozitës mbetet i tensionuar.
